Malaj: Rivlerësimi i pasurive jashtë Tiranës do të bëhet vetëm me vlerësues privat me pagesë
Ministri i Financave thotë se procesi ka nisur në gjithë vendin.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka nisur në të gjithë territorin e vendit, pas publikimit të udhëzimit përkatës në Fletoren Zyrtare. Ai sqaroi se për pronat jashtë Tiranës rivlerësimi nuk mund të kryhet mbi bazën e çmimeve të referencës, por vetëm përmes një vlerësuesi privat dhe me pagesë.
Diferenca mes çmimeve reale dhe atyre të referencës
Sipas Malajt, vendimi vjen pas kontrolleve të Administratës Tatimore në agjencitë imobiliare, ku janë konstatuar diferenca të dukshme mes çmimeve të pasurive të regjistruara në sistemet e tyre dhe çmimeve të referencës të regjistruara pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK). Për këtë arsye, për zonat jashtë Tiranës po diskutohet përditësimi i çmimeve të reja të referencës.
Opsionet për qytetarët e Tiranës
Për qytetarët e Tiranës, rivlerësimi mund të kryhet ose mbi bazën e çmimeve të referencës të regjistruara pranë ASHK-së, ose përmes një vlerësuesi privat. Ndërsa për pronat jashtë territorit të kryeqytetit, aktualisht e vetmja mënyrë është përmes ekspertëve privatë të licencuar. Ministri theksoi se procesi është i hapur dhe mund të vijojë normalisht në të gjithë vendin.